blog-post

Postuar më: 15-11-2023

Trajnim i Trajnuesve për Metodologjinë HELP

Sot më 15 nëntor 2023, Akademia e Drejtësisë së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin e Evropës janë duke organizuar Trajnimin e Trajnuesve lidhur me Metodologjinë e Arsimimit të Profesionistëve Ligjor për të Drejtat e Njeriut (HELP) me synim të përgatitjes së trajnuesve të ardhshëm të kurseve të mësimit në distancë (e-learning) të postuara në platformën online të Këshillit te Evropës.

Qëllimi i Trajnimit të Trajnuesve lidhur me HELP, është përgatitja e pjesëmarrësve në përmbushjen e rolit të trajnuesve të HELP-it, si dhe që ti pajisin ata me shkathtësitë e nevojshme, në mënyrë që të jenë trajnues të suksesshëm të kurseve online të HELP-it, sipas konteksteve të tyre përkatëse. Ky trajnim fokusohet në metodologjinë e HELP-it për profesionistët ligjor dhe në platformën e mësimit në distancë të HELP-it.

Sesionet e Trajnimit të Trajnuesve për HELP janë një ndër instrumentet mbështetëse të institucioneve vendore të trajnimit gjyqësor, siç është Akademia e Drejtësisë, Odat e Avokatëve dhe akterëve tjerë në ofrimin e trajnimeve të cilësisë së lartë për profesionistët ligjor. Kurset online të HELP-it në fillim dizajnohen si kurse model në gjuhën angleze dhe mandej përkthehen dhe adaptohen me rendin ligjor dhe praktikat vendore.

Me përfundimin e TiT, pjesëmarrësit do të jenë në gjendje që:

Të kuptojnë programin HELP dhe misionin e tij; Të kuptojnë rolin e trajnuesve të HELP-it në zbatimin e kurseve të HELP-it; T’i adaptojnë kurset e HELP-it me rendin vendor juridik, si dhe me nevojat e audiencës së fokusuar; Të mbajnë kurse të HELP-it (zakonisht një kurs përbëhet nga takimet e drejtpërdrejta dhe mandej 2-3 muaj të kurseve online të moderuara nga trajnuesi i HELP-it); Të përdorin platformën e mësimit në distancë të HELP-it për të moderuar kurset e HELP-it dhe për të shpërndarë resurset; T’i mbështesin pjesëmarrësit e kurseve të tyre në përdorimin e platformës së mësimit në distancë të HELP-it. I gjithë trajnimi është duke u moderuar dhe udhëhequr nga dy ekspertet e Këshillit të Evropës: znj. Giulia Lo-Presti, koordinatore e Projektit e BE-KE “Trajnimi Gjyqësor për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat Themelore”, Divizioni I HELP, Këshilli i Evropës dhe znj. Jasminka Peruničić - Allen, Zyrtare e Lartë e Projektit/ HELP –i në Ballkanin Perëndimor, Këshilli i Evropës

Përfitues të trajnimit janë Gjyqtarë, Prokurorë, Avokat si dhe Përmbarues Privat.

Shpërndaje :